Telegrafi

Mbeten të bllokuara fluturimet ajrore në Gjermani

Vendimi i marrë nga Agjencia Gjermane e Sigurisë Ajrore (DSF) është një tjetër vështirësi për udhëtarët e kompanive ajrore në Gjermani, të cilave u janë anuluar qindra fluturime.

Këtë fundjavë ”Lufthansa” dhe ”Air Berlin” kritikuan hapur vendimin për mbylljen e hapësirës ajrore në vend, pa llogaritur përqendrimin e resë vullkanike në ajër.

Ndërkohë, ”British Airways” ndërmori dje në mbrëmje një fluturim provë që u krye nga një avion, dhe nuk kishte paraqitur asnjë vështirësi gjatë kalimit të reve të hirit vullkanik që paralizoi trafikun ajror evropian.

Një ”Boeing 747” i kompanisë ajrore britanike u ngrit dje nga aeroporti londinez ”Heathrow” për të studiuar ndikimin e hirit të ardhur nga vullkani islandez tek avionët.

”Boeing”-u, që kishte në bord vetëm pesë anëtarë duke përfshirë dhe drejtorin e përgjithshëm të grupit, u ul
në orën 19:41 GMT në Kardif, në përfundim të një fluturimi që zgjati rreth tre orë sipër oqeanit Atlantik.

"Kushtet e fluturimit ishin shumë të mira dhe avioni nuk ka hasur asnjë vështirësi. Avionit do t’i bëhet tashmë një analizë e plotë teknike në qendrën teknike në Kardif", theksoi zëdhënësi i ”British Airways”.