Telegrafi

Mbetën të bllokuar për shkak të motit të keq, policia shpëton 23 turistë në Përmet

Policia e Shtetit ka njoftuar se 23 turistë janë shpëtuar nga autoritetet e emergjencës, pasi mbetën të bllokuar në zonat e ujërave termalë të Bënjës në Përmet.

Sipas njoftimit, turistët gjermanë, polakë dhe francezë, kishin mbetur të bllokuar për shkak të motit të keq.

“Paraditen e sotme, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me ato të Emergjencave Civile, bënë të mundur dhe nxjerrjen e automjeteve dhe dorëzimin e tyre te turistët, të cilët mesditën e sotme kanë vijuar lëvizjen për në destinacionet e radhës që do eksplorojnë në vendin tonë”.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, shërbimet zjarrfikëse dhe ato të Emergjencave Civile, mesnatën e djeshme, kanë marrë njoftim se gjatë eksplorimit të natyrës, me këmbë dhe me automjete, 23 turistë kanë mbetur të bllokuar, në vendparkimin e zonës së quajtur ‘Banjat e Bënjës’, në Përmet, pasi automjetet e tyre nuk qarkullonin dot për shkak se rruga ishte prishur si pasojë e daljes së lumit, nga moti i keq”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje bëhet e ditur se pavarësisht reshjeve të shumta të shiut, pas dy orësh punë intensive turistët janë nxjerrë nga automjetet e tyre në vendin ku kishin mbetur të bllokuar, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në banjat e Bënjës, nga reshjet e shiut.

“Turistët janë transportuar dhe janë akomoduar në hotel, në qytetin e Përmetit, ku janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, paraditen e sotme, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me ato të Emergjencave Civile, bënë të mundur dhe nxjerrjen e automjeteve të turistëve, që ndodheshin në vendparkimin e banjave të Bënjës. Automjetet iu janë dorëzuar turistëve të cilët kanë vijuar lëvizjen për në destinacione të tjera në vendin tonë”. /Telegrafi/