Telegrafi

Mbështetje për autostradën Vërmicë-Merdare

Në këtë takim, ministri Limaj e njoftoi zv.ndihmës-sekretarin Jones me gjendjen aktuale dhe politike në Kosovë, duke shpalosur një pjesë të vizionit politik të Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që të tejkalohen problemet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova si shtet i ri, siç janë çështja e sigurisë, minoriteteve dhe zhvillimi ekonomik i vendit, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.

Ministri Limaj e njoftoj Jones më hollësisht edhe me planet dhe veprimet aktuale të Ministrisë së Transportit të Kosovës për këtë vit, fushat kyçe të përqendrimit, për prioritetet e kësaj ministrie, me theks të veçantë në infrastrukturën rrugore respektivisht rreth ndërtimit të Autostradës Morinë Merdare.

Ndërsa, Jones – siç thuhet në komunikatë – e vlerësoi punën që po bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës, në këtë kuadër dhe punën që Ministria e Transportit po e bën në ndërtimin dhe zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe transportit.

“Jones e siguroi ministrin Limaj se Qeveria amerikane, do të mbështet të gjitha projektet të cilat janë në të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, sidomos mbështetjen për projektet të cilat kanë impakt rajonal, siç është ndërtimi i autostradës Vërmicë-Merdare”, theksohet më tej.

Po ashtu bëhet e ditur se, zëvendës-ndihmësi i sekretarit të shtetit amerikan, Jones vlerësoi përpjekjet e institucioneve të Kosovës, për integrimin e komunitetit serb dhe komuniteteve tjera, duke vënë në pah se është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës dhe shumicës që të inkurajoj edhe me tepër komunitetin serb dhe komunitetet tjera që të jenë pjesë aktive në ndërtimin e jetës demokratike dhe institucionale në Kosovë. /Telegrafi/