Site icon Telegrafi

Mbështetja për Taravarin pritet t’u kushtojë me shkarkim dy ministrave, Qeveria teknike do të pësojë ndryshime

Qeveria teknike e Maqedonisë së Veriut të premten pritet të pësojë ndryshime dhjetë ditë pas votimit të saj në Kuvend, më 28 janar.

Kryeministri teknik, Talat Xhaferi, ia ka dorëzuar Kuvendit kërkesën për shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, dhe të ministrit të Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu.

Në vend të tyre ka propozuar Ilir Demirin për ministër të Shëndetësisë dhe Naim Bajramin për ministër të Administratës dhe Shoqërisë Informatike.

Seanca e Kuvendit për shkarkimin e ministrave të vjetër dhe emërimin e atyre të rinj është caktuar për të premten nga kryetari i Kuvendit, Jovan Mitrevski.

Vendimi i kryeministrit Talat Xhaferi pason një kërkesë të një komisioni partiak të Aleancës për Shqiptarët(ASH) që është pjesë e Qeverisë teknike, i cili propozoi shkarkimin e dy ministrave të saj.

Vendimi është marrë për shkak të, siç thuhet, “veprimeve që bien ndesh me Kodin Etik, përfshirë shantazhet dhe presionet ndaj anëtarëve të ASH-së, si dhe takimeve me OBRM-PDUKM-në”.

Por, sipas ministrave Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu, propozimi për shkarkim është bërë për shkak të pozicionimit të tyre pas kryetarit të partisë, Arben Taravari, i cili më 3 shkurt njoftoi për vendimin për të kaluar në bllokun opozitar shqiptar – Lidhja Evropiane për Ndryshim.

Lexo po ashtu Kuvendi cakton për nesër seancën për shkarkimin e Mexhitit dhe Aliut

Taravari ka thënë se vendimin e kishte marrë “pas konsultimeve prej disa javësh dhe pas një reflektimi të thellë se ka ardhur koha për ndryshim, të cilin e kërkon populli për të çliruar sistemin nga epidemia e korrupsionit, si frenues i mirëqenies dhe zhvillimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.

Ai kishte kërkuar që vendimi i tij të mbështetet nga partia, por kryetari i Kuvendit partiak, Ziadin Sela dhe mbështetësit e tij e kanë kundërshtuar duke insistuar që ASH-ja të dalë e vetme në zgjedhje, ndërkohë që ka nisur procedurat për shkarkimin e ministrave dhe të gjithë drejtorëve të saj nëpër institucione.

Ministri aktual i Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, ka thënë se kërkesa për shkarkimin e tij nga posti i ministrit, është e paligjshme.

“Kërkesa për shkarkimin tonë nuk është legjitime pasi, sipas statutit të partisë, komisioni që doli me propozim, nuk mund të miratojë vendime për emërimin apo shkarkimin e ministrave. Puna jonë është transparente dhe me rezultate konkrete, andaj edhe nuk ka asnjë arsye për shkarkim”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, shkarkimet që po kërkohen nga pjesa e partisë që është kundër unifikimit të opozitës, po ndihmohen nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Ai akuzoi në veçanti zëvendëskryeministrin nga radhët e BDI-së, Artan Grubi, i cili, sipas tij, ka marrë edhe “rolin e kryeministrit”, duke vendosur për pikat e rendit të ditës dhe për shkarkimin e të gjithë drejtorëve që janë rreshtuar pas kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.

Fatmir Mexhiti, ministër aktual i Shëndetësisë, ka thënë se kërkesa për shkarkimin e tij është “manifestim i frikës” nga ndryshimi që, sipas tij, do të ndodhë në zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.

“Kjo nuk na frikëson neve pasi do të vazhdojmë shumë më fuqishëm. Unë dhe ministri Aliu ju garantojmë, do të jemi ministra edhe në kabinetin e ardhshëm qeveritar. Ndryshimi ka filluar dhe populli është me ne. Më 8 maj do të festojmë bashkë”, ka thënë Mexhiti, duke akuzuar gjithashtu BDI-në si bashkëpjesëmarrëse në zhvillimet në ASH.

Nga BDI-ja nuk i kanë komentuar akuzat e tilla, por as zhvillimet në partinë Aleanca për Shqiptarët.

Ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, kryetar Lidhjes Social Demokrate (LSDM) ka thënë të enjten se partia që ai drejton do të mbështesë propozimin për shkarkimin e këtyre dy ministrave.

“Grupi Parlamentar i LSDM-së do të votojë bazuar në propozimin e Qeverisë, por edhe bazuar në qëndrimin që do të ketë Aleanca për Shqiptarët. Nëse një parti, e cila është pjesë e Qeverisë, kërkon që ministrat e saj të zëvendësohen me të tjerë, atëherë është normale që të ketë një vendim në Kuvend. Kjo ka ndodhur edhe më parë kur parti që ishin pjesë e Qeverisë kishin kërkuar zëvendësimin e kuadrove të tyre”, ka thënë Kovaçevski.

Ai ka shtuar se nuk beson se po “rrezikohet Qeveria teknike”, edhe pse, siç ka thënë ai, bëhet fjalë për “fenomen botëror” që të ketë shkarkime dhe emërime në një qeveri teknike e cila ka mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, që do të mbahem më 24 prill dhe 8 maj./REL/

Exit mobile version