Gjatë ditës së sotme, në Zyrat e Bordit të Guvernatorëve të Rezervës Federale të SHBA-së, guvernatori Fehmi Mehmeti u prit në takim zyrtar nga Guvernatorja, Lisa DeNell Cook.
Referuar BQK-së kjo është vizita e parë e një guvernatori të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në Zyrat e Bordit të Guvernatorëve të Rezervës Federale të SHBA-së.
Guvernatori Mehmeti fillimisht e njoftoi Guvernatoren Cook lidhur me rolin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e institucioneve financiare në Kosovë.
Gjithashtu, guvernatorja Cook u informua për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve, që nga themelimi i BQK-së deri në ditët e sotme përmes institucioneve amerikane si: Thesari Amerikan, USAID dhe Rezerva Federale.
Guvernatori Mehmeti shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për kontributin e madh që shteti amerikan ka dhënë për zhvillimin e kapaciteteve të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe për përkrahjen e vazhdueshme për zhvillimin e sektorit financiar në Kosovë.
Guvernatori Mehmeti informoi guvernatoren Cook lidhur me performancën e mirë të sistemit financiar në Kosovë, me theks të veçantë atij bankar dhe potencoi rëndësinë e këtij sektori në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit.
Po ashtu, guvernatori Mehmeti shpalosi pikëpamjet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës lidhur me zhvillimet makroekonomike në vend, si dhe parashikimet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për ekonominë e vendit, në vitet e ardhshme.
“Në takim u diskutua bashkëpunimi i deritanishëm me Rezervën Federale si dhe mundësinë e zgjerimit dhe avancimit të bashkëpunimit të mëtejmë mes dy institucioneve. Gjithashtu, guvernatori Mehmeti e ftoi për të vizituar Kosovën dhe Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, ftesë kjo e cila u mirëprit nga guvernatorja Cook”, thuhet në njoftim.
Referuar BQK-së kjo është vizita e parë e një guvernatori të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në Zyrat e Bordit të Guvernatorëve të Rezervës Federale të SHBA-së. /Telegrafi/