Telegrafi

Mbështetet ndërtimi i autostradës Prishtinë – Shkup

Në Ministrinë e Transportit dinë pak detaje në lidhje me këtë autostradë, përveç se në shtator presin të bëhen publikë emrat e kompanive të interesuara për pjesëmarrje në ndërtim me koncesion të kësaj autostrade.

Zëdhënësi i MTPT-së Xhevdet Pozhari tha se janë në përfundim të projektit dhe pasi të finalizohet do të bëhet e ditur edhe kostoja dhe të gjitha procedurat tjera.
“Mandej, vjen hapi tjetër për shprehje interesi, mandej njëjtë si e kemi pas rastin për autostradën Vërmicë- Merdare, mirëpo kushti kryesor i kësaj rruge është koncesionimi”, tha Pozhari.

Zëvendëspresidentja e AKR-së Mimoza Kusari Lila thotë se projekti për autostradën Prishtinë – Shkup, është shumë e ngutshme, në një periudhë kur as në Parlamentin e Kosovës nuk është bërë debat, nuk është prezantuar në Komisionin Parlamentar, pra asgjë më ndryshe se në projektet e tjera”, tha Kusari-Lila.

Nga ana e tij, Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, idenë e sheh si shumë të qëlluar dhe të arsyeshëm ekonomikisht, pasi autostrada do të ndërtohet me koncesion. /rtk/telegrafi/