Site icon Telegrafi

Mbështetësit e Berishës protestë para Kuvendit, tensione edhe brenda sallës

LSA

Deputetët e Partisë Socialiste kanë mbërritur 1 orë e 30 minuta më herët në ambientet e Parlamentit, ku në orën 10:00 pritet të mbahet seanca plenare për heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Socialistët mbërritën më herët në ambientet e Kuvendit për të parandaluar skenarin e seancës së kaluar, ku deputetët e PD bllokuan hyrjet e parlamentit dhe nuk lejuan futjen e tyre në sallë.

Pas deputetëve socialistë kanë mbërritur në sallë dhe deputetët e opozitës, ku të përjashtuarit u përplasën me gardën, e cila nuk i lejoi të hynin në sallë.

Me të mbërritur në sallë deputetët e opozitës, bllokuan foltoren me karrige dhe u përplasën me gardën.

Sakaq në ambientet e jashtme të Kuvendit ka nisur grumbullimi i simpatizantëve të ish-kryeministrit Berisha, të cilët me pankarta ku shkruhet “O sot, o kurrë”, kundërshtojnë vendimin për ish-kryeministrin.

Kujtojmë se pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori në shqyrtim padinë e deputetëve të Rithemelimit, tashmë Kuvendi e ka rrugën e hapur për t’i hequr mandatin e deputetit Berishës dhe për të ashpërsuar masën e sigurisë.

Lexo po ashtu Seanca në Kuvend për heqjen e imunitetit të Berishës, Garda pengon deputetët e përjashtuar të hyjnë brenda

Më pas do të jetë Prokuroria e Posaçme që do të vendosë se çfarë mase shtrënguese do të kërkohet për Berishën, ‘arrest në shtëpi’ apo ‘arrest në burg’, i cili është nën hetim për aferën ‘Partizani’.

Nuk priten shumë surpriza, pasi socialistët do të votojnë pro kërkesës së SPAK. Po ashtu edhe Partia Demokratike ka deklaruar hapur votën pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Berishës, ndërsa Enkelejd Alibeaj ishte i pranishëm edhe në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

PS dhe Enkelejd Alibeaj dorëzuan dy raporte ne kuvend per imunitetin e zotit Berisha.

Alibeaj tha se vota për imunitetin do ti japë mundësi Berishes të pastrojë figurën e tij nga akuzat për korrupsion.

Me interes pritet votat e deputetëve të grupit Bardhi, që në fakt kishin firmosur edhe padinë dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Bardhi dhe deputetët që e mbështesin nuk morën pjesë në protestën e parë të Berishës para Kuvendit, por kanë bashkuar aksionin brenda seancave plenare duke ndezur tymëse e krijuar kaos. /Telegrafi/

Exit mobile version