Komuna e Ferizajt ka paraparë që në kuadër të një projekti të ndajë subvencione në mbështetje të kultivuesve të mjedrës. Mësohet se që nga dje ka nisë aplikimi i të interesuarve, ndërsa zyrtarët thonë se ai është tejet i madh.
Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi në Ferizaj, Xhemajl Reçica, ka thënë për KosovaPress, se me këtë projekt po synohet të shtohen sipërfaqet me kultura të pemëve të imëta, duke mundësuar kështu edhe fuqizimin e ekonomive familjare.
“Ne kemi planifikuar që të ngremë 6 hektarë me këtë kulturë të mjedrës. Jemi në fazën epranimit të aplikacioneve, e cila do të zgjasë 15 ditë. Siç dihet ky tender është shtyrë dy herë, mirëpo jemi me kohë ngase pas kryerjes së procedurave muaji nëntor është ideal për mbjelljen e kësaj kulture”, ka thënë Reçica.
Për më tepër bëhet e ditur se nga ky projekt do të përfitojnë 30 fermerë të cilët veç fidaneve të mjedrës do të përfitojnë edhe sistemin e ujitjes pikë-pikë.
“Kemi paraparë që secili fermerë të mbjellë nga 20 ari me mjedër me qëllim që numri i përfituesve të jetë më i madh. Me këtë projekt është paraparë që të subvencionohet edhe sistemi i ujitjes”, ka thënë Xhemajl Reçica.
Ndryshe, ky projekt i komunës do ta ketë një kosoto prej 17 mijë eurove. Është hera e dytë që komuna ndanë fidanë të mjedrës për fermerë, interesim i është tejet i lartë, por kësaj radhe, në kuadër të kritereve komuna ka paraparë edhe plotësimin e kriterit të kualitetit të tokës. /Telegrafi/