Personat me nevoja të veçanta në Maqedoni që dëshirojnë të nisin biznesin e tyre, do të mund të sigurojnë mbështetje financiare nga shteti me vlerë prej 270000 denarësh (4390 euro), transmeton Telegrafi Maqedoni.
Që nga dita e sotme, të interesuarit mund të aplikojnë në qendrat për punësim. Ata do të mund të punësojnë më së paku edhe dy persona tjerë, për të cilët do të sigurojnë një mbështetje shtesë financiare prej 92000 denarësh (rreth 1500 euro).
Këta persona do të mund të sigurojnë edhe një ndihmë të disponueshme nëntë muaj pas hapjes së kompanisë, me një vlerë prej 20 rrogave mesatare, ndihmë financiare prej Agjencisë për punësim, si edhe 100000 denarë (1625 euro) për përgatitjen e vendit të punës, sipas nevojave. Pjesë e kësaj ndihme është edhe lirimi nga kontributet sociale ashtu siç thotë ligji.
Ky është konkursi i dytë i shpallur për personat me nevoja të veçanta, për të cilët do të ketë ndihmë edhe për plan biznesi, si edhe trajnim. Për punësime të këtilla shteti ka ndarë 49 milionë denarë (rreth 800000 euro), kurse konkursi do të mbetet hapur deri sa të plotësohet numri për mjetet e destinuara për këtë kategori qytetarësh./Telegrafi/