Telegrafi

Mbërrijnë rreth 32 mijë doza të vaksinës Pfizer në Shqipëri

Mbrëmjen e sotme në vendin tonë ka mbërritur një tjetër ngarkesë me 31.590 doza të tjera të vaksinës Pfizer kundër koronavirusit.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama i cili përmes një postimi në Facebook, ai shkruan se dozat kanë mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza”.

Kreu i qeverisë gjithashtu njofton se deri më tani në Shqipëri kanë mbërritur 1.982.130 doza të vaksinës antiCOVID.

Postimi i Edi Ramës:

31,590 doza të tjera të vaksinës Pfizer mbërritën pak më parë në Aeroportin “Nënë Tereza”, duke e çuar në 1,982,130 numrin e vaksinave AntiCovid të mbërritura në vendin tone. Vaksinohuni, vaksinohuni, vaksinohuni.

Kujtojmë se shtatori është muaji i hapur i vaksinimit ku çdo qytetar mund të zgjedhë lirisht të marrë dozën e vaksinës. Komiteti i Ekspertëve të Shëndetësisë njoftoi disa ditë më parë, se mësuesit, studentët dhe mjekët duhet të vaksinohen.

Në të kundërt, ata që refuzojnë do të duhet të paraqesin një test negativ të PCR në mënyrë periodike.