Site icon Telegrafi

Mbërrijnë në Vlorë ekspertët e Krimeve të Rënda

Burime zyrtare nga dikasteri i Rendit, bëjnë me dije se ekspertë të krimeve të rënda në Tiranë, dje kanë shkuar në Vlorë dhe kanë marrë kontakt me policinë dhe prokurorinë e këtij rrethi. Mësohet se takimi i zhvilluar mes ekspertëve nga kryeqyteti dhe atyre të Vlorës ka pasur si qëllim marrjen e informacioneve të mbledhura deri tani nga drejtuesit e rinj të policisë së Vlorës, të cilët u zëvendësuan pak ditë pasi ndodhi edhe ngjarja ku mbeti i vrarë gjyqtari Skerdilajd Konomi.

Burimet e mësipërme pohojnë se specialistët e Tiranës, të cilët po hetojnë dosjen në fjalë, kanë mbledhur të gjitha të dhënat e reja ku përfshihet çdo lloj informacioni rreth misterit të ekzekutimit të gjyqtarit. Po të njëjtat burime, shprehen se në të dhënat e reja përfshihen edhe emrat e personave të tjerë (pronarë dyqanesh në afërsi të vendit ku ndodhi ngjarja dhe klientë biznesesh), që janë parashikuar të merren në pyetje.

Përmasat dhe kompleksiteti i ngjarjes bën që ekspertët të ruajnë maksimalisht sekretin e hetimeve, duke mos dhënë informacion konkret mbi pistat apo dëshmitë më të fundit që janë grumbulluar për vrasjen e Konomit, transmeton BalkanWeb.

Ndërkohë, burime nga policia lokale shprehen se po vazhdojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe vënien në pranga të ekzekutorëve. Hetimi i policisë së Vlorës vijon paralelisht me kolegët e tyre në Durrës, ndërkohë që drejtimi i të gjithë hetimit bëhet nga Tirana. /Telegrafi/
 

Exit mobile version