Kylian Mbappe ka pohuar se ai nuk do të lejojë spekulimet mbi të ardhmen e tij të ndikojnë në shfaqjet e tij në fushë.
Është raportuar në shtypin spanjoll se sulmuesi 18-vjeçar i Monacos ka rënë dakord të kalojë në Real Madrid gjatë verës pas një sezoni spektakolar në Ligue 1 dhe Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, talenti francez ka pohuar se është i përqendruar në detyrën e tij në Stade Louis II dhe nuk do të lejojë që spekulimet të ndikojnë në paraqitjet e tij.
“Ne kemi një objektiv të përbashkët dhe me të vërtetë dëshiroj të fitoj titullin me klubin që më solli këtu”, ka thënë fillimisht Mbappe.
“Deri atëherë, asgjë nuk do të më shqetësojë mua dhe mendoj se do të vazhdoj kështu deri në fund të sezonit”, përcjell Telegrafi.
“Do të ketë dy muaj, dy muaj e gjysmë, për të marrë një vendim se çfarë do të bëj, kështu që jo, thashethemet nuk do të ndikojnë tek unë”, përfundoi talenti francez.
Ndryshe, përvec Real Madridit, interesim për 18-vjeçarin e talentuar francez kanë shprehur edhe Chelsea, Arsenal, Manchester City dhe Inter. /Telegrafi/