Kylian Mbappe pranon se do të mirëpriste një finale të Ligës së Kampionëve këtë sezon në mes të Paris Saint-Germain dhe Juventusit.
Presidenti i PSG, Nasser Al-Khelaifi, tashmë e ka cilësuar Juventusin si rivalin më të madh të klubit të tij në Ligën e Kampionëve.
Edhe sulmuesi i francezëve, Mbappe, duket se ka rënë dakord me të pasi mendon se skuadra e tij do të luaj ndaj italianëve në finalen e Ligës së Kampionëve.
“Grupi ynë është i komplikuar, por është vetë natyra e Ligës së Kampionëve për ta dëshiruar, sepse është trofeu më i lakmuar nga skuadrat më të mëdha evropiane”, ka thënë fillimisht Mbappe për Gazzetta dello Sport.
“Kundër Napolit do të jetë e vështirë. Ekipet e Ancelottit luajnë futboll të mirë me një filozofi të saktë, duke bërë presion lartë. Ata gjithashtu kanë tifozë fantastikë”.
“Juventusi ka më shumë forcë në radhët e tyre me Ronaldon. Të gjitha skuadrat e mëdha do të duhet të studiojnë bardhezinjtë me më shumë vëmendje tani”.
“Është gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për Ronaldon, kështu që është një fitore e favorshme për të dyja palët. Dhe së bashku ata mund të bëjnë diçka të madhe në Ligën e Kampionëve”.
“Një finale PSG-Juve? Do ta nënshkruaja tani”, përfundoi sulmuesi francez. /Telegrafi/