Kylian Mbappe ka kërkuar nga bashkëlojtarët e tij te Paris Saint-Germaini që të tregojnë më shumë respekt dhe profesionalizëm pas humbjes prej 3-0 nga Monaco.
Lideri i Ligue 1 u nëpërkëmb të dielën në Stade Louis II duke shtuar akoma më shumë pakënaqësinë e nisur prej eliminimit nga Liga e Kampionëve.
PSG mbetet lider me diferencë të konsiderueshme dhe është në rrugë për ta fituar titullin e kampionit të Francës, mirëpo Mbappe dhe kapiteni Marquinhos nuk ishin të kënaqur me lojën dhe performancën këtë fundjavë.
“Humbëm nga një skuadër e shkëlqyer që po luan për të hyrë në Evropë. Ata ishin të vendosur dhe e zhvilluan planin e tyre të lojës”.
“Shpresoj që të kualifikohen në Evropë. E merituan të fitonin”, ka deklaruar ish-lojtari i Monacos, Kylian Mbappe, për Amazon Prime Video.
“Objektivi është që ta fitojmë titullin e 10-të të ligës. Pjesa tjetër nuk ka rëndësi. Edhe nëse fitojmë 8-0 ose 9-0, njerëzit do të vazhdojnë të mendojnë për Ligën e Kampionëve. Duhet të jemi profesionistë dhe ta respektojmë njëri-tjetrin”.
“Duhet t’i respektojmë tifozët që na mbështesin, njerëzit dhe familjet tona. Duhet ta respektoni veten nëse keni sado pak respekt për atë që bëni”, ka thënë tutje ylli i PSG-së. /Telegrafi/