Kylian Mbappe pritet t’i bashkohet Real Madridit nga sezoni i ri si futbollist i lirë, pasi kontrata me Paris Saint Germain do t’i skadoj më 30 qershor.
Megjithatë Mbappe duket se nuk do të shkoj i vetëm në kryeqytetin spanjoll pasi me vete do ta marrë edhe vëllanë e tij Ethan Mbappe i cili gjithashtu do të mbetet i lirë në fund të sezonit.
Por kjo nuk është e tëra, pasi francezi duket se i ka kërkuar një nderë presidentit të Real Madridit, Florentino Perez për ta transferuar edhe mikun e tij më të ngushtë Achraf Hakimi në Santiago Bernabeu.
Francezi dhe marokeni kanë lidhur një miqësi të ngushtë prej tre vitesh prej kur Hakimi iu bashkua parisienëve nga Interi.
Megjithatë mbrojtësi i djathtë që ka dalë nga akademia e Real Madridit ka kontratë me parisienët deri në verën e vitit 2026 dhe do të jetë shumë e vështirë që një gjë e tillë të ndodhë.
Por Le10sport ka raportuar se Real Madridi ka një plan konkret se si ta rikthejë marokenin në Santiago Bernabeu.
Duket se Reali nuk do të tentojë transferimin e tij këtë verë, por do të futet fuqishëm në garë në verën e vitit 2025.
Nëse PSG nuk e lejon largimin e mbrojtësit të djathtë në vitin 2025, atëherë plani është që Hakimi mos të vazhdoj kontratën dhe në vitin 2026 si lojtar i lirë të bashkohet me klubin e tij të ëndrrave Real Madrid. /Telegrafi/