Paris Saint-Germain mori një fitore me rezultat 3-0 në udhëtim ndaj Reims, falë paraqitjes së jashtëzakonshme të Kylian Mbappe i cili shënoi het-trik, duke i dhënë ekipit të tij tri pikë shumë të rëndësishme.
Ylli i PSG-së u paraqit në konferencën për shtyp pas ndeshjes ku iu shtrua pyetja rreth të ardhmes së tij.
“Nuk dua të flas për këtë tani. Nuk është koha e duhur. Gjëja më e rëndësishme tani për mua është të luaj”, kishte thënë shkurtimisht Mbappe.
Ai u pyet gjithashtu edhe për fitoren ndaj Reimsit por edhe për humbjen në Ligën e Kampionëve ndaj Milanit.
“Ligue 1 është një kompeticion krejtësisht ndryshe nga Liga e Kampionëve dhe skuadrat luajnë më ndryshe. Ne dëshironim të ishim lider dhe jemi të lumtur”.
Mbappe nuk dukej edhe aq i lumtur pas paraqitjes së tij por gjithsesi tha se ndihet më i qetë dhe është gjithmonë në kërkim të het-trikut.
“Unë jam më i qetë tani. Unë gjithmonë ndihem i lumtur kur shënoj het-trik. Ka ndeshja kur unë luaj dobët dhe shënoj më rrallë, por jam i lumtur më këtë ndeshje”, përfundoi ai.
24-vjeçari numëron 13 gola dhe një asistim në ligën franceze pas 11 ndeshjeve, teksa ka edhe dy gola tjerë të shënuar në Ligën e Kampionëve./Telegrafi/