Telegrafi

Mbappe është kapiten i ri i Francës, Griezmann mendon të tërhiqet nga përfaqësuesja

(Foto: Getty)

Antoine Griezmann është duke planifikuar të tërhiqet nga përfaqësuesja e Francës, pasi u anashkalua për shiritin e kapitenit.

Pas pensionimit të kapitenit të deritanishëm, Hugo Lloris, është vendosur që kapiten i ri i Les Bleus të jetë ylli i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappes.

Përzgjedhësi Didier Deschamps thuhet t’i ketë analizuar mirë të gjitha opsionet para se ta merrte vendimin për anësorin 24 vjeçar.

(Foto: Getty)

Në anën tjetër, Griezmann është bërë zëvendëskapiten, por – sipas Goal – kjo gjë e ka inatosur anësorin e Atletico Madridit, i cili ka regjistruar 117 paraqitje me Francën prej se debutoi në vitin 2014.

Me 42 golat e shënuar, 32-vjeçari i ka ndihmuar përfaqësueses në sukseset e mëdha, sidomos në triumfin në Kampionatin Botëror të vitit 2018 dhe ishte pritur që ai ta trashëgonte shiritin e kapitenit, prandaj është mërzitur me vendimin.

Sidoqoftë, Deschamps konsideron se Mbappe është opsion më i përshtatshëm afatgjatë, i cili mund të jetë kapiten i Francës në 10 vitet e ardhshme. /Telegrafi/