Një shqiptar me “tetë pseudonime” do të dëbohet nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë, pasi në banesën e tij u gjetën 10 mijë funta të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Edlir Ganoshi kishte hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe “njihej” nga policia për faktin që kishte identitete të ndryshme.
32-vjeçari u burgos në vitin 2018 për përfshirje në prodhimin e kanabisit dhe tani përballet me deportim pasi mijëra paund cash u gjetën në vendin ku ai jetonte në prill të këtij viti.
Ganoshi ishte pjesë e një bande që kontrollonte disa ferma kanabisi të shpërndara në zona të ndryshme të vendit, e që sillnin rreth 2 milionë funta të ardhura çdo vit. ]
Ky aktivitet kriminal mori fund në Prill të 2021, pas një operacioni që zgjati 10 muaj.
Ganoshi thuhet se mbikëqyrte bandën së bashku me Elidjon Pashallarin dhe Arber Ganoshin, njofton gazetashqip.