Telegrafi

Mbante armë zjarri, municione dhe drogë në banesë, arrestohet 30-vjeçari në Vlorë

Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia e Vlorës pasi mbante fshehur në banesë armë zjarri automatike, armë zjarri pushkë, municion luftarak dhe lëndë narkotike kanabis.

Në kuadër të operacionit të koduar “Strike 19” u vu në pranga shtetasi A. H., 30 vjeç, banues në Vlorë, me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e armëmbajtjes.

Gjatë kontrollit të ushtruar fillimisht në automjetin që ky shtetas lëvizte në momentin e arrestimit, në çantën e tij shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një dozë me lëndë narkotike kanabis.

Nga kontrolli i mëtejshëm në banesën e 30-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatike, 1 armë pushkë, municion luftarak për to dhe një sasi lëndë narkotike kanabis./euronewsalbania/