Site icon Telegrafi

Mbani frymën njerëz, po vjen derbi Prishtina-Peja

Lufta për titull është ashpërsuar, Peja është lider në tabelë me 42 pikë, por bardhekaltërit e ndjekin hap pas hapi me vetëm tri pikë më pak, ndërsa sonte me fillim nga ora 19:00, synojnë që ta zvogëlojnë këtë diferencë.

Prishtina në stinorin pranveror i humbi tri ndeshje derbi, një ndaj Pejës, ndaj Trepçës pas ndërprerjes dhe së fundmi nga Sigkos Bashkimi. Kjo gjë bëri që drejtuesit e klubit të shkarkojnë Arben Krasniqin dhe Fikret Shatrin, të cilët drejtuan Prishtinën në tetë vitet e fundit.

Te vendasit pritet të shihet se çfarë risie ka sjellë trajneri i ri nga Turqia, Ahmet Kandemir, derisa për Pejën pritet të kthehen Dardan Berisha dhe Ersid Ljuca.

Basketbollisti më i mirë aktual në Kosovë, Dardan Berisha, në një prononcim për Telegrafin, bëri të ditur se ende nuk është riaftësuar plotësisht nga lëndimi, kështu që nuk do të mund ta luajë komplet ndeshjen ndaj Prishtinës. Sidoqoftë, ai shprehi bindjet e tij se Peja ka mjaft kualitet për ta mposhtur sonte Sigal Prishtinën.

“Peja mund ta fitojë ndeshjen edhe nëse nuk luaj unë sepse në ekip ka lojtarë tjerë që mund ta marrin barrën. Besoj se tani e kanë marrë njëfarë shkolle nga humbja ndaj RTV 21-shit në ndeshjen e kaluar. Por, unë mendoj se ajo humbje ka qenë vetëm plus për neve sepse e kemi parë përafërsisht ku jemi dhe çfarë gabime kemi bërë”.

“Mendoj se ato gabime nuk do t’i bëjmë më dhe me Prishtinën të gjithë jemi shumë më të motivuar, sepse dihet që është derbi dhe do të mundohemi ta fitojmë këtë ndeshje edhe pse do të jetë e vështirë”, tha Dardani për Telegrafin.

“Nëse fitojmë sonte do të dëshmojmë që gjatë tërë kampionatin kemi qenë ekipi më i mirë në Kosovë, por krejt varet nga play-offi. Sidoqoftë, edhe nëse e humbim këtë ndeshje prapë mendoj që kemi qenë ekipi më i mirë në Kosovë, këtë edicion”, theksoi ai. /Telegrafi/ 

Exit mobile version