Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) me mbështetje nga Friedrich Ebert Stiftung (FES) mban tryezën “Prishtina në katër vitet e ardhshme”.
Në tryezë, do të prezantohet “Platforma e Shoqërisë Civile për Prishtinën 2017-2021” një dokument me rekomandime për platformat politike të kandidatëve për zgjedhjet për kryetar të komunës.
Kjo platformë është vazhdim i platformës së hartuar në vitin 2014, ku kishin kontribuuar rreth gjashtëdhjetë ekspertë. Ndërkaq, platforma e tanishme ka për qëllim t’i shërbejë debatit zgjedhor dhe t’u ofrojë kandidatëve një pasqyrë të problemeve të qytetarëve dhe hapave që priten të ndërmerren në katër vitet e ardhshme të qeverisjes së Prishtinës.
Kjo platformë synon të kontribuojë kështu edhe në në procesin e hartimit të programeve politike të partive garuese në zgjedhjet për kryetar të komunës së Prishtinës. Për më shumë, kjo platformë është hartuar duke pasur për bazë hulumtimin e opinionin publik, ku përmes anketimit të 600 qytetarëve janë identifikuar problemet që i preokupojnë më së shumti qytetarët e kryeqytetit. Të gjeturat e hulumtimit kanë shërbyer si orientues për intervistat me ekspertët lokalë dhe profesionalë përmes të të cilave, në këtë platformë janë dhënë propozime për zgjidhjen e këtyre problemeve.