Site icon Telegrafi

Mbahet tryeza për kontratat e dëmshme të Kosovës

Do të mbahet sot tryeza e radhës “Kontratat e dëmshme të Kosovës: kush ka faj?”, që do të organizohet nga “Forum 2015”.

Qëllimi i kësaj tryeze është që të trajtohen kontratat e dëmshme të cilat zbatohen nga institucionet publike të Kosovës, përfshirë pasojat që kanë këto kontrata.

“Aktualisht, Qeveria e Kosovës është duke u përballur me konteste gjyqësore, të cilat rrjedhin si pasojë e formulimit dhe zbatimit joadekuat të kontratave publike. Këto konteste gjyqësore tregojnë se Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera publike nuk kanë arritur të dizajnojnë kontrata të plota dhe të respektojnë detyrimet që dalin nga marrëdhëniet e tilla kontraktuale. Përderisa rezultatet nga këto konteste potencialisht mund t’i kushtojnë jashtëzakonisht shumë buxhetit të Kosovës, ende nuk është vënë askush para një përgjegjësie as politike e aq më pak penale për këto raste. Është shqetësues fakti që afërsisht dy dekada nga përfundimi i luftës dhe një dekadë pas pavarësimit të vendit, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të krijojë një sistem efikas për menaxhimin e projekteve të mëdha publike. Posaçërisht kur kemi parasysh se kontratat të cilave ju referohemi përfshijnë, mes tjerash, projektet që janë proklamuar si projektet kryesore zhvillimore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e “Forum 2015”.

Gjatë kësaj tryeze do të prezantohet studimi i hartuar nga Instituti Riinvest. Për të diskutuar rreth këtyre problemeve, të ftuar janë panelistët: Pal Lekaj Ministër i Infrastrukturës; Valdrin Lluka Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Korab Sejdiu deputet në Kuvendin e Kosovës dhe Alban Hashani Drejtor Ekzekutiv, Instituti Riinvest. /Telegrafi/

Exit mobile version