Site icon Telegrafi

Mbahet takimi për Hartimin e Draft Ligjit të Shërbimit Korrektues të Kosovës

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka mbajtur takimin e parë të Grupit Punues për Hartimin e Draft-Ligjit të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Sipas komunikatës për medie, hartimi i Draft Ligjit për SHKK-në është nismë reformuese e Shërbimit Korrektues të Kosovës me qëllim sigurimin e një vizioni gjithëpërfshirës dhe të konsoliduar të sundimit të ligjit, e po ashtu ngritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, e veçanërisht në SHKK-në.

“Me qëllim të përmbushjes së obligimeve të cilat dalin nga plani i punës së Qeverisë dhe plani indikativ i punës për vitin 2020-2021 për Hartimin e Draft Ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës, në koordinim me Ministrinë e Drejtësisë ka organizuar takimin konsultativ në të cilin janë ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Institucioneve Korrektuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Avokatit të Popullit, Shoqata e Grave të SHKK-së, Sindikata e SHKK-së, organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si: KMDLNJ, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, ICITAP, OSBE dhe EULEX”, thuhet në komunikatë.

Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi ka njoftuar të pranishmit lidhur me sfidat me të cilat është ballafaquar SHKK, si dhe nevojat për hartimin e Ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Thaçi caktoi edhe grupet punuese për hartimin e Draft Ligjit për Shërbimin Korrektues, me ç ‘rast u dakorduan lidhur me hapat e mëtutjeshëm rreth hartimit të Ligjit. /Telegrafi/

Exit mobile version