Telegrafi

Mbahet takimi i parë i Grupit Punues për plotësim-ndryshim e Projektligjit për Persona të Zhdukur

Në Ministrinë e Drejtësisë është mbajtur takimi i parë i Grupit Punues për hartimin dhe finalizimin e Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Personat e Zhdukur.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka falënderuar anëtarët e këtij grupi për gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në plotësim-ndryshimin e projektligjit për persona të zhdukur.

“Ministria e Drejtësisë ka prioritet ballafaqimin me të kaluarën, andaj në mesin e iniciativave të tjera të ndërmarra deri më tani në këtë drejtim përfshirë hartimin e Koncept-Dokumentit për themelimin e mekanizmit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës, i cili aktualisht ndodhet në konsultime publike, hartimin e Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale dhe ngritjen e kapaciteteve në Prokurorinë Speciale në Departamentin për Krimet e Luftës, këtij Projektligji dhe adresimit të nevojave dhe kërkesave të familjarëve të personave të zhdukur do t’i kushtohet vëmendje e veçantë”, tha Sallahu.

Ai tha se do të mbesin të përkushtuar që në plotësim-ndryshimet e Projektligjit për persona të zhdukur të reflektojnë kërkesat dhe nevojat e familjarëve të tyre.

Aktualisht, mbeten edhe mbi 1.600 persona që janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998 dhe 1999, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur.