Telegrafi

Mbahet takimi i parë i Grupit Punues për Hartimin e Projekt Strategjisë Sektoriale të Sundimit të Ligjit

Ministria e Drejtësisë sot ka mbajtur takimin e parë të Grupit Punues për Hartimin e Projekt Strategjisë Sektoriale të Sundimit të Ligjit.

“RFSSL është nismë reformuese e Ministrisë së Drejtësisë, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe akterët kyçë të sektorit, për të siguruar një vizion gjithëpërfshirës dhe të konsoliduar të sundimit të ligjit, për të ngritur besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe afrimin e Kosovës me Bashkimin Europian”.

Pas miratimit nga Komiteti Drejtues për rekomandimet e dala nga faza e dytë e këtij procesi dhe dakordimit për të filluar përpilimi i Projekt Strategjisë, qëllimi i këtij takimi, sipas MD-së, ishte që të hapet faza e tretë dhe e fundit e procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit – hartimi i Projekt Strategjisë së Sundimit të Ligjit.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Qemajl Marmullakaj, si kryesues i Grupit Punues për ta koordinuar dhe udhëhequr këtë proces prezantoi përmbledhjen e shkurtër të procesit me të gjeturat dhe rekomandimet e dala nga faza e dytë.

Grupi Punues për Hartimin e Projekt Strategjisë Sektoriale të Sundimit të Ligjit kryesuar nga Ministria e Drejtësisë, përbëhet nga përfaqësues të KGJK-së, KPK-së, Zyrës se Kryeministrit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Finance, Zyrës së Presidentit dhe Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës. Përveç anëtarëve të Grupit Punues në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të donatorëve ndërkombëtarë, duke përfshirë Ambasadën e SHBA-së, Zyrën e BE-së, Ambasadën Britanike dhe USAID-in.

Anëtarët e Grupit Punues u dakorduan gjithashtu lidhur me hapat e mëtutjeshëm rreth Projekt Strategjisë Sektoriale të Sundimit të Ligjit dhe për finalizimin e procesit të Rishikimit Funksional.