Telegrafi

Mbahet takimi i Këshillit për Siguri Kibernetike, kërkohet ngritja e sigurisë në institucionet publike

Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Selami Shkodra, njëherësh koordinator kombëtar i Strategjisë Shtetërore për Siguri Kibernetike, në takimin e rregullt që u mbajt në Ministrinë e Punëve të Brendshme me  Këshillin Shtetëror për Siguri Kibernetike, ku u diskutua për raportin gjashtëmujor të zbatimit të planit të veprimit për siguri kibernetike, vlerësoi punën që kanë bërë të gjitha institucionet në implementimin e planit të veprimit të strategjisë 2016-2019, duke kërkuar njëkohësisht që ato aktivitete që nuk janë realizuar, të kryhen gjatë pjesës së dytë të këtij viti.

Zëvendësministri Shkodra vuri në dukje domosdoshmërinë e  ngritjes së sigurisë në të gjitha institucionet publike, duke vlerësuar drejtë rëndësinë që ka siguria kibernetike dhe sipas nevojave të hartohen plane konkrete të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe teknologjike.

Ai theksoi se tashmë është dërguar në qeveri për miratim Koncept-dokumenti për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetikë, i cili parasheh avancimin e fushës  ligjore në fushën e parandalimit dhe luftimit kibernetikë.

Po ashtu zëvendësministri Shkodra, theksoi se koncept dokumenti është shumë më i avancuar së ligji aktual, duke iu përshtatur edhe trendëve të teknologjisë dhe është i harmonizuar edhe me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Në këtë takim përveç prezantimit të aktiviteteve në zbatimin e planit të veprimit nga secili anëtar i Këshillit, po ashtu u miratua propozimi për krijimin e nëngrupit që do të diskutojë nevojat për ngritje të sigurisë së sistemeve të TI-së në institucionet publike dhe private. /Telegrafi/