Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në departamentin Special është duke u mbajtur gjykimi ndaj biznesmenit Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, dhe të tjerëve.
Dibran Hoxhaj, biznesmeni i njohur si “Kobra”, ka dalë sot para drejtësisë në Hajvali.
Hoxhaj para gjykatësit tha se nuk ndihet fajtor për rastin në të cilën po akuzohet.
“Kobra” akuzohet për vrasjen e Visart Cengut.
Ndryshe, Gjykata e Apelit në Prishtinë përmes vendimit të 9 tetorit 2024 ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes të cilit ishte konfirmuar aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” si dhe ndaj Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit.
Sipas Apelit, vendimi i Themelores nuk është i përfshirë në shkelje esenciale apo shkelje tjera dhe se në vendim janë dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qëndrueshme që të refuzohen kërkesat e mbrojtjes lidhur me kundërshtimin e provave dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës.
Gjithnjë sipas këtij vendimi, thuhet se hetimi ndaj të akuzuarve është kryer konform dispozitave ligjore dhe i mbikëqyrur nga gjyqtari i procedurës paraprake, prandaj edhe provat e listuara si në aktakuzë janë marrë në harmoni me dispozitat ligjore në fuqi. /Telegrafi/