Telegrafi

Mbahet raundi i ri i bisedimeve për të ardhmen e Kosovës

Anëtarët e Ekipit Negociator të Kosovës, para nisjes për në Vjenë, kanë thënë se ky delegacion do të vazhdoj ta respektoj agjendën ndërkombëtare deri më 10 dhjetor (kur ndërmjetësuesit ndërkombëtarë nën drejtimin e diplomatit gjerman Wolfgang Ischinger duhet t´i paraqesin sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, raportin rreth këtyre negociatave) dhe se, pas kësaj date, Prishtina do ta ketë agjendën e vet të veprimit, në harmoni me Washingtonin dhe Brukselin.

Pala kosovare ka përsëritur qëndrimin se nuk do të negociojë për pavarësinë, sepse kjo është e vendosur prej kohësh – dhe mbështetet nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare – por për krijimin e marrëdhënieve normale të fqinjësisë. Ndërkaq pala serbe vazhdon të insistojë, që mund të ketë vetëm një zgjidhje për Kosovën, nëse të dyja palët e pranojnë atë. Po ashtu zyrtarët serbë kanë përsëritur qëndrimin se zgjidhja për Kosovën, duhet të kërkohet në kuadër të rezolutës 1244 – respektivisht duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.

Rundi i katërt i bisedimeve, do të fillojë në orën 9:00, kur fillon takimi i Treshes me delegacionin serb, për të vazhduar më pastaj me takimin në mes të Treshes dhe delegacionit kosovar, në orën 10:30, ndërsa përmbyllet me takimin direkt në mes të Prishtinës dhe Beogradit, i ndërmjetësuar nga treshja Wisner-Ischinger-Kharchenko, në orën 13:30.

Edhe në këtë takim pritet të shqyrtohet dokumenti 14-pikësh i propozuar nga Treshja ndërkombëtare, mirëpo ende nuk dihet nëse në tavolinën e bisedimeve do të gjendet edhe propozimi i Ischingerit, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sipas modelit të marrëveshjes në mes të dy Gjermanive, nga viti 1972.

Risi e vetme e këtij rundi të bisedimeve, që tashmë është bërë publike, është fakti se Treshja e GK-së për statusin e Kosovës, ka deklaruar se do të japë një konferencë për media, pas bisedimeve me palët në konflikt, rreth orës 17:00.

Diplomatët e ndryshëm botëror kanë vlerësuar se, ky mund të jetë takimi vendimtar.

 

Pas Vjenës, Ekipi i Unitetit do të zhvilloje takime në Portugali, Itali dhe Gjermani.