Telegrafi

“Nuk kemi dhuratë më të madhe se Nënë Tereza”

Ditë më parë në Vatikan, u bë shenjtërimi i Nënës Terezë, e në shenjë falënderimi, Kisha Katolike në Prishtinë, gjatë ditës së sotme ka mbajtur meshë falënderuese dhe shugurimin e dy meshtarëve të rinj në Katedralen e Prishtinës.

Në këtë meshë u fol për veprën e Nënë Terezës, e cila u tha se do t’i shërbejë popullit tonë por edhe mbarë botës që të ndihmojnë njëri-tjetrin.

Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, tha se Nëna Terezë është shembulli më i mirë për të qenë në shërbim të njerëzimit në nevojë.

Ai ka thënë se nderimi jonë për Nënë Terezë është i shumëfishtë dhe nuk kemi dhurata më të madhe se Nënë Tereza.

“Nderimi ynë për Nënën Terezë është i shumëfishtë sepse sikur kemi dëshirë të themi, në këto kohë të reja, nuk kemi dhuratë më të madhe se sa Nënë Tereza. Nderimi ndaj Nënën Terezës është nderim qytetar dhe shoqëror i të gjithë njerëzve vullnet mirë për Kosovën dhe në botë dhe në të gjitha trojet tona shqiptare’, tha Imzot Dodë Gjergji.

Imzot Dodë Gjergji shtoi se nderimet të institucioneve dhe njerëzve, e gëzojnë Kishën dhe besimtarët e saj, pasi që kjo është një dëshmi se populli jonë di të dallojë të mirën brenda vetës dhe të përkulet para veprës së Nënë Terezës.

Në Meshën e falënderimit, u bë edhe rituali i shugurimin të dy meshtarëve të rinj.