Gjatë ditës së djeshme është mbajtur mbledhja e radhës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në Komunën e Mitrovicës.
Kjo mbledhje u kryesua nga drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në këtë komunë, Bahtir Maxhuni dhe në prani të anëtarëve të këtij këshilli, shkruan Telegrafi.
Në këtë takim është diskutuar për sigurimin e një mjedisi të sigurt për nxënësit në shkolla dhe rrezikshmërinë që paraqesin qentë endacakë.
“Gjatë këtij takimi, u diskutuan disa tema të rëndësishme për sigurimin e mirëqenies dhe sigurisë në komunën e Mitrovicës. Në fokus të mbledhjes ishte gjendja e sigurisë së përgjithshme në komunë, si dhe sigurimi i mjedisit të sigurt për nxënësit në shkolla. Po ashtu, u diskutua edhe rrezikshmëria që paraqesin qentë endacakë”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, anëtarët e Këshillit që përfaqësojnë institucionet dhe organizatat relevante, shprehën angazhimin e tyre për të adresuar këto shqetësime dhe për të ndërmarrë masa të tjera për përmirësimin e situatës.
Pikat e tjera të mbledhjes kanë përfshirë çështje të ndryshme të lidhura me sigurinë dhe menaxhimin e emergjencave, për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Mitrovicës. /Telegrafi/