Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka kryesuar mbledhjen e parë të grupit punues për anëtarësim e Kosovës në NATO.
Këtë e ka bërë të ditur në llogarinë e saj në Twitter.
“Sonte, unë kam kryesuar mbledhjen e parë të grupit të punës, të krijuar nga Qeveria e Kosovës për të rritur përpjekjet tona për anëtarësimin në NATO”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo tha se pas situatës në Ukrainë, epoka e re në Evropë kërkon një strategji të re për sigurimin e paqes.
“Pas sulmit të Putinit, epoka e re në Evropë kërkon një strategji të re për sigurimin e paqes në kontinentin tonë”, shkroi Gërvalla.
Ndërkaq, në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se objektivi kryesor i këtij grupi do të jetë avancimi i procesit të integrimit në NATO, fuqizimi i pranisë së Kosovës në organizata dhe mekanizma rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë, si dhe bashkëpunimi me aleatët strategjikë ndërkombëtarë.
Prej nisjes së luftës në Ukrainë, autoritetet e Kosovës kanë bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në aleancën veri-atlantike.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë më 5 mars se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i domosdoshëm që të ruhet paqja në rajon.
“Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tonë, andaj anëtarësimi është më i domosdoshëm se kurrë, dhe është parakusht për paqen në rajon”, ka deklaruar Osmani.
Disa ditë më parë, ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj ka kërkuar që të ndodhë anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane në Kosovë.
Traktati i NATO-s thotë se anëtarësimi në aleancë është i hapur për çdo shtet evropian që plotëson standardet e kërkuara, por aty theksohet se vendimi për zgjerim duhet të merret me marrëveshje unanime.
Në radhët e NATO-s janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia./Telegrafi/
Tonight, I’ve chaired the first meeting of the working group, established by the?? government to increase our efforts for @NATO membership.
After Putin’s attack, the new era in #Europe requires a new strategy for securing peace in our continent. pic.twitter.com/SMEVmMUVIp
— Donika Gërvalla-Schwarz (@gervallaschwarz) March 9, 2022