Site icon Telegrafi

Mbahet marshi për barazi dhe kundër dhunës, pjesë e aktivitetit 16-ditor në Pejë

Foto: Komuna e Pejës

Sot, në qendër të Pejës, është mbajtur një marshim me moton “Unë kam të drejtë të jetoj pa dhunë”, organizuar nga Qendra e Mirëqenies së Gruas në Pejë.

Ky aktivitet shënon fillimin e fushatës 16-ditore për aktivizimin kundër dhunës.

Sipas drejtoreshës së Qendrës së Mirëqenies së Gruas, Ardita Bala Ramizi, për Telegrafin ka thënë se kjo fushatë ka qenë një traditë që nga viti 2001, me aktivitete që promovojnë ndërgjegjësimin mbi barazinë gjinore dhe luftën kundër dhunës.

Marshi “Unë kam të drejtë të jetoj pa dhunë” në Pejë/ Foto Komuna e Pejës, Facebook

“Qendra e Mirëqenies së Gruas ka filluar aktivitetin 16 ditor për aktivizmin prej vitit 2001, ku çdo vit kemi aktivitete të ndryshme. Këtë vit kemi filluar me moton ‘Unë kam të drejtë të jetojë pa dhunë’, për arsye se kemi rritje të rasteve të dhunës në strehomoren tonë edhe mendojmë se të gjithë kanë nevojë të jetojnë pa dhunë”, ka thënë Bala Ramizi.

Foto: Komuna e Pejës

Ajo ka theksuar se ky marsh ka përfunduar te Haxhi Zeka, ku u vendosën dhjetë mesazhe për barazinë gjinore.

“Ky marsh ka vazhduar deri te Haxhi Zeka ku i kemi vendosur dhjetë mesazhe për barazi gjinore të ndryshme, ku nuk do të rrinë vetëm 16 ditë, por do të qëndrojnë për 365 ditët në vazhdim për ta vetëdijësuar komunitetin tonë”, ka përfunduar ajo.

Foto: Komuna e Pejës

Aktivitetet do të vazhdojnë në ditët e ardhshme, me qëllim të ngritjes së vetëdijes dhe promovimit të një shoqërie pa dhunë. /Telegrafi/

Exit mobile version