Site icon Telegrafi

Mbahet marsh protestues në Mitrovicë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Marshi protestues në Mitrovicë, më 08.03.2025. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Në nder të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, sot në Mitrovicë marshuan dhjetëra gra.

Marshi i tyre filloi në orën 12:00 dhe zgjati afro 40 minuta, shkruan Telegrafi.

Ato fillimisht u nisën nga objekti i Komunës së Mitrovicës, e më pas vazhduan tek sheshi “Isa Boletini”, për t’u ndalur në fund pranë objektit të Gjykatës Themelore, në qendër të qytetit.

“Marshojmë kundër vrasjes së grave” ishte parulla kryesore dhe mesazhi kyç që përcollën grupi i grave përmes këtyre minutave.

Teksa lëvizën nga Komuna në drejtim të sheshit “Isa Boletini”, thirrjet e tyre ishin “Marshojmë, s’festojmë” dhe “Liri, barazi, solidaritet”.

Disa parulla në marshin e sotëm protestues, më 08.03.2025. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Në këtë marsh kishte edhe parulla tjera si “Poshtë patriarkati”, “Jom njeri, s’jom rob”, “Kundërshtojmë dhunën në baza gjinore”, “Mos hesht, mos duro”, “Unë zgjedh të jetoj pa dhunë” e të tjera.

Në këtë marsh u përmendën edhe emrat e disa grave të vrara në vend gjatë viteve të fundit, derisa u kërkua që institucionet e drejtësisë t’i ndërmarrin hapat e duhur, raporton Telegrafi.

“Këto nuk janë raste të izoluara për pasoja tragjike të patriarkalitetit që mundëson dhunën fizike, emocionale, seksuale e ekonomike që lëshohet mbi gratë në përditshmëritë tona private dhe publike, qoftë në shtëpi, punë, shkollë, rrugë e institucione. Le të revoltohemi për njëra-tjetrën, kundër indiferencës ndaj dhunës”, u tha gjatë këtij marshi.

“Marshojmë kundër vrasjes së grave”, marshi protestues në Mitrovicë. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Ngjashmërisht veproi edhe organizata jo-qeveritare “Fourth Wave”, e cila zhvilloi një aksion që synim kishte përçimin e një mesazhi vetëdijësues tek masa e gjerë lidhur me çështjen e femicidit në Kosovë.

Në sheshin e Mitrovicës është shpalosur flamuri “Këta nuk janë vec numra, janë emra të grave të vrara nga burrat” dhe sipas tyre, kështu rikujtuan se çështja e grave të vrara duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare, transmeton Telegrafi.

Marshi protestues në Mitrovicë. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

“Sot dhe çdo ditë tjetër, ne i bëjmë thirrje shoqërisë që të luftojmë kolektivisht deri në çrrënjosjen e femicidit dhe derisa çdo jetë e gruas të trajtohet me dinjitet. Shteti duhet të ndërrmarrë hapa konkret për të çrrënjosur sistemin shtypës të patriarkatit dhe për të mbrojtur në mënyrë aktive jetët e grave”, thuhet në njoftim.

Një marsh i tillë me mesazh të njëjtë gjatë ditës së sotme u organizua edhe në Prishtinë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version