Me koncertin e solistëve dhe Shoqërisë Kulturore Artistike Drita të fshatit Bogovinë, është përmbyllur manifestimi tashmë tradicional Vera kulturore e Sharrit. Koncertin që organizohet enkas për mërgimtarët e këtij fshati e begatoi me pjesëmarrje edhe Shoqëria Kulturo-Artistike Shqiponja nga Shkupi. Mysafirët I argëtuan edhe këngëtarët Resmije Krasniqi dhe Ylmize Tafallari.
Paraprakisht, gjatë ditës janë organizuar edhe disa aktivitete tradicionale kurse spikati gara e vrapimit të kuajve, që është një traditë mjaft e lashtë në këto vendbanime, por kohëve të fundit është zbehur. Kësaj radhe, Shoqëria Kulturore Artistike “Drita” nga Bogovina riktheu këtë traditë që është edhe një aktivitet për të argëtuar mërgimtarët që të njëjtit të mos e harrojnë vendlindjen e tyre. Përmes këtyre organizimeve, synohet që gjeneratat e reja të njihen me traditat e të parëve të tyre, thotë kryetar i Shoqërisë Kulturore Artistike Drita Hisen Ismaili. “Është një manifestim ku ngërthehet disa aktivitete. Vitin e kaluar, krahas garës me kuaj dhe vrapimit, kishim koncertin dhe ekspozitën me piktura dhe me artefakte të vjetra. Këtë vit, nuk kemi ekspozitë, por i kemi këta aktivitete siç janë gara me kuaj dhe vrapimi. Këta dy aktivitete i mbajmë për të përcjellë traditat tona në të kaluarën”, tha Hisen Ismaili, kryetar i Shoqërisë Kulturore Artistike “Drita”.
Vera kulturore e Sharrit në fshatin Bogovinë është një nga ngjarjet e shumta që mbahen gjatë verës në rajonin më të gjerë të Pollogut. Ky aktivitet është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Bogovinës si dhe me ndihmën e disa kompanive vendase.