Telegrafi

Mbahet manifestimi “Gjurmë të Gjeçovit”

Në Janjevë të komunës së Lipjanit, ditën e shtunë, më 20 qershor të këtij viti, në orën 10, për të nëntën herë me radhë, mbahet manifestimi tashmë tradicional letraro-kulturor “Gjurmë të Gjeçovit”.

Manifestimi i sivjetmë organizohet nga Klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi” i Zymit të Hasit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe nga Drejtorati për Arsim e Kulturë i komunës së Lipjanit dhe Shkolla Fillore në Janjevë.

Manifestimi i sivjetmë përshkohet nga fryma e 135-vjetorit të lindjes së Atë Shtjefën Gjeçovit – Kryeziut në Janjevë. Po ashtu kësaj radhe do të bëhet ripagëzimi i Shkollës Fillore të Janjevës me emrin e Shtjefën Gjeçovit, pastaj do të zbulohet busti i Atë Shtjefën Gjeçovit i punuar nga skulptori Hysen Bytyçi, mbahet manifestimi letraro-kulturor “Gjurmë të Gjeçovit”, me ç’rast do të prezantohen poetë të dëshmuar nga Kosova dhe viset tjera shqiptare.

Dhe, në fund, nxënësit e Shkollës Fillore “Shtjefën Gjeçovi” të Janjevës do të prezantohen me një program kulturo-artistik, si dhe do të vizitohet Shtëpia e lindjes së Shtjefën Gjeçovit.