Telegrafi

Mbahet manifestim me temë ‘Rrita e arsimit shqip në Shkup’

Me rastin e 130 vjetorit të hapjes së shkollës së parë në gjuhën shqipe dhe vitin themeltar të Universitetit “Nënë Tereza”, u organizua Manifestim me temë: “Rrita e arsimit shqip në Shkup”. Në fjalimin e tij përshëndetës, rektori Pollozhani në mes të tjerash theksoi se “Hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë para 130 vitesh, udha e gjatë e “Shkronjave Shqip” dhe Universiteti “Nënë Tereza” i themeluar në Shkup, janë arsye dinjitoze që këtë përvjetor ta kujtojmë dhe të festojmë bashkë në Universitetin e ri, në kryeqytetin e Republikës së Maqedonisë – Shkup”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Për kontributin e dhënë në themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, rektori Pollozhani ndau një mirënjohje për ish-Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi. Prof. Dr. Avzi Mustafa dhe Prof. Dr. Agim Rushiti, në prezantimet e tyre u koncentruan në aspektin historik mbi ruajtjen e kujtesës mbi rrugën e zhvillimit të arsimit, analizimin e arritjeve të deritanishme në sferën e arsimit shqip si dhe shqyrtimin e mundësive për zhvillimin e trashëgimisë së arsimit dhe politikave arsimore në përgjithësi, në veçanti në kryeqendrën e Republikës së Maqedonisë, Shkup.

Në manifestim ishte i pranishëm edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu, i cili në fjalën e tij përshëndetëse ju uroi 7 Marsin të gjithë profesorëve, mësuesve, pedagogeve, duke shprehur bindjen se shoqëria jonë ka një borxh të pashlyeshëm mirënjohje ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan nga vetja e tyre për të mbrojtur vlerat e gjuhës, kulturës, historisë dhe traditat tona duke i përçuar ato brez pas brezi, dhe sado të tregojmë mirënjohje ndaj mësuesve tanë, do të mbetemi borxh përsëri, njofton AIM.

Të pranishëm në këtë manifestim ishin edhe Ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi, Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti dhe zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Faton Pollozhani. Manifestimi u përshkua nga një recital i shkruar nga studentët e katedrës së gjuhës shqipe pranë fakultetit filologjik dhe disa pjesë muzikore nga orkestra e dhomës e të rinjve të Tetovës, të udhëhequr nga dirigjentja, Agona Çupi. /Telegrafi/