Dje është mbajtur konsultimi publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore për vitet 2025 – 2027 në Komunën e Mitrovicës.
Në këtë konsultim publik nuk patë interesim të qytetarëve, në përjashtim të një qytetari që ishte pjesëmarrës, shkruan Telegrafi.
Këtë konsultim e drejtoi kryesuesja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Vesa Broja, së bashku me drejtoreshën e Financave, Igballe Islami dhe zyrtarin kryesor financiar, Zenel Çitaku.
Qytetari që ishte pjesëmarrës në konsultim publik ishte përfaqësues i fshatit Kushtovë dhe ishte i interesuar të dijë nëse Komuna e Mitrovicës ka ndarë buxhet për rregullimin e rrugës së këtij fshati.
Ndërsa, kryesuesja e Kuvendit Komunal për mungesën e qytetarëve të interesuar ka thënë se paraprakisht janë publikuar të dhënat për mbajtjen e mbledhjes.
“Janë publikuar paraprakisht të dhënat për vendin dhe datën e mbledhjes ashtu siç na obligon ligji”, ka thënë Broja. /Telegrafi/