Telegrafi

Mbahet ‘Java e Produkteve Austriake’ në Kosovë, Austria në mesin e 5 vendeve kryesore me investime në vendin tonë

Duke filluar nga 23 shkurti në Kosovë do të mbahet “Java e Produkteve Austriake”.

Në hapjen solemne të këtij aktiviteti, ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari ka thënë se ka rritje të shkëmbimeve tregtare në mes dy vendeve, duke shtuar se Austria është në mesin e pesë vendeve kryesore me investime në Kosovë.

“Austria është në mesin e pesë vendeve kryesore me investime në Kosovë, po ashtu është një nga partnerët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit tonë, gjersa kjo po dëshmohet me rritjen e eksporteve të Kosovës në Austri për 21 për qind në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021 dhe rritjen e importeve të Austrisë në Kosovë për 17.4 për qind, për periudhën e njëjtë kohore”, ka thënë Hajdari.

Ministrja ka ftuar bizneset austriake që të investojnë në industrinë ushqimore dhe sektorë tjerë në vendin tonë.

Në anën tjetër, ambasadori Christoph Weidinger ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira bilaterale në mes Kosovës dhe Austrisë në aspektin ekonomik. /Telegrafi/