Telegrafi

Mbahen provimet pranuese për regjistrimin e studentëve të rinj në UT

Në kuadër të afatit të parë të regjistrimeve për studentë të rinj të vitit akademik 2017/2018, dje, më 19 gusht, në Universitetin e Tetovës u mbajtën provimet pranuese në disa programe studimore, përcjell Telegrafi Maqedoni.

‘Nga gjithsej 13 fakultetet që ka Universiteti i Tetovës, provimit pranues i janë nënshtruar kandidatët që kanë aplikuar për regjistrim në programet studimore: Mjekësi e përgjithshme, Stomatologji, Farmaci, Art figurativ, Art dramatik, Aktivitet fizik, Rekreacion dhe shëndetësi, Spor, INformatikë në gjuhën angleze, Studime politike në gjuhën angleze, Kriminalistikë, Mësim klasor, Drejtim parashkollor dhe Arkitekturë’, thuhet në kumtesën e UT.

Përgjegjësi i zyrës për Arsim në UT, Doc.Dr.Ibrahim Neziri thotë se mbajtja e provimit pranues në këto programe studimore ka për qëllim testimin e kandidatëve rreth njohurive, aftësive dhe talentit të tyre në përputhje me programin studimor ku dëshirojnë t’i ndjekin studimet në të ardhmen.

Kandidatët të cilët ju nënshtruan provimit pranues u shprehën të kënaqur me organizimin e provimit, si dhe me transparencën e treguar nga ana e Universitetit të Tetovës./Telegrafi/