Telegrafi

Mazreku: Një shtet është i gatshëm të garantojë për Kartonin e Gjelbër

Një delegacion i lartë i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ka vizituar Byronë e Sigurimeve të Serbisë. Ky është takimi i parë me byronë serbe pas 11 vjetësh.

Drejtori Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) Sami Mazreku, tha se një shtet i gatshëm të garantojë BKS-në për Kartonin e Gjelbër.

“Në korrik është planifikuar një takim i radhës në Byronë e Kartonit të Gjelbër në Bruksel nga atje presim që të marrim ndonjë konfirmim dhe nga ato shtete që e kemi marr konfirmimin duhet ta miratojmë dhe aprovojmë në Zyrën e Byrosë së Kartonit të Gjelbër pastaj të aplikojmë në komunitetin e aplikimeve dhe si BKS të bëjmë zgjidhje sa i përket Kartonit të Gjelbër. Po punohet shumë bashkë me Bankën Qendrore gjithsesi e kemi një lajm që një shtet e ka ndarë mendjen që me na përkrah e procesit të alternativës sa i përket këtij kartoni por nuk mund ta bëjë të ditur emrin e shtetit për shkak të disa procedurave”, u shpreh Mazreku në një intervistë për RTK-në.

“Ky shtet ka garantuar BKS-në, por për shkak të procedurave dhe procesit nuk do ta bëjmë publik emrin”, tha ai.

Tutje ai tha se edhe me Malin e Zi është arritur një marrëveshje para një viti kurse me Shqipërinë në fund pritet të ketë një përfundimi, sepse marrëveshja e parë është e vitit 2006.

Mazreku foli edhe vizitën që pati në Serbi, ku u prit në takim nga Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Siguruesve të Serbisë Dushko Jovanoviq dhe Drejtori i Byrosë së Kartonit të Gjelbër të kësaj shoqate, Misho Jankoviq.