Mentor Mazrekaj është blerja më e fundit e Partizanit për sezonin e ardhshëm futbollistik. Mesfushori, i cili sezonin e shkuar ka qenë pjesë e Prishtinës, u është bashkuar “të kuqve”, edhe pse në drejtim të tij ka pasur një sërë ofertash.
Mazrekaj është shprehur i kënaqur me ditët e parë që po kalon tek Partizani i Tiranës. Ai thotë se gjithçka po shkon shumë mirë.
“Gjithçka ka qenë shumë mirë dhe pritja gjithashtu. Kam zhvilluar stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës, të premten, por nuk kam arritur të jap maksimumin pasi kam qenë i lodhur edhe nga rruga. Në ditët në vijim do të jem më i freskët dhe do rikthehem në formën time të mëparshme”, ka thënë Mazrekaj për “Panorama Sport”.
Mazrekaj me klubin nga Tirana në sezonin e ri do të synojë një vend që çon në Kupat e Evropës. Ai beson se Partizani mund të sigurojë një vend për në kupat evropiane, transmeton Kosovapress.
“Janë ditët e mia të para në skuadër dhe ende nuk mund të flas për objektiva konkretë, duke qenë se nuk jam ulur me drejtuesit për të diskutuar, pasi kam ardhur vonë në Shqipëri. Megjithatë, mendoj se pjesëmarrja në Kupat e Evropës është një prej synimeve tona. Të gjithë këtu e ndjekin shumë këtë kompeticion dhe besoj se ne do arrijmë të jemi pjesë e tij kampionatin e ardhshëm. Megjithatë, pas takimit që do të kem edhe me presidentin, do t’i kem më të qarta objektivat e Partizanit”, tha sulmuesi prishtinas. /Telegrafi/