Site icon Telegrafi

Mazhoranca nuk arrin t’i bëjë 80 deputetë – Konjufca u kërkon konsultim me partitë opozitare

Seanca e Kuvendit të Kosovës, ndonëse u tha se do të nis në orën 10:00 nuk filloi me kohë për shkak të mungesës së deputetëve.

Në rend dite në këtë seancë janë disa marrëveshje ndërkombëtare, miratimi i i së cilave kërkon që në seancë të jenë të pranishëm 80 deputetë.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca kërkoi që mazhoranca të konsultohet me partitë opozitare për t’i grumbulluar deputetët.

“Grupi i mazhorancës aktualisht ka 62 deputetë të pranishëm, ftoj kryetaren e grupit të mazhorancës me u ul me një konsultim shumë të shpejtë me PDK dhe AAK se nuk i keni numrat. Nëse nuk vijnë edhe dy-tre deputetë nga PDK dhe AAK nuk besoj që mund të arrini”, tha Konjufca.

Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se është e padrejtë të presim që një orë.

“Kuvendi ka kuorum duhet të merr vendim. Kërkoj nga ju të procedoni sepse është bërë më shumë se një orë që po presim këtu dhe është e paarsyeshme dhe e palogjikshme”, tha Gashi.

Në seancën e sotme është paraparë që të raportojë kryeministri Albin Kurti, për takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbajtur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars. Kjo është pika e pestë e rendit të ditës. /Telegrafi/

Exit mobile version