Floyd Mayweather nuk e ka hedhur poshtë mundësinë për një tjetër rikthim sensacional në ring, ndërkohë që po flitet për një rimeç shumëmilionësh me Manny Pacquiaon.
Boksieri amerikan është duke shijuar pensionimin, pasi u tërhoq nga boksi për të tretën herë që nga fitorja me nokaut teknik ndaj Conor McGregorit në gusht të vitit 2017.
Ndërsa qe disa muaj është duke u spekuluar se ai mund t’i veshë sërish dorëzat, ndërsa rivali i tij i madh, Pacquiao, përmendet si kundërshtar i mundshëm.
Filipinasi 40-vjeçar është rikthyer në maje të boksit që nga triumfi ndaj Keith Thurman, ndërsa në rrjetet sociale ka pasur përfolje për një rimeç potencial.
Pasi e kishte ndjekur duelin ndërmjet Gervonta Davis dhe Ricardo Nunes në Baltimore, Mayweather është pyetur në lidhje me mundësinë për ta zhvilluar duelin e dytë kundër ‘Pacman’, ndërsa ai nuk e hodhi poshtë si opsion.
“Nuk e dimë… vetëm koha do të tregojë”, ishte deklarata e yllit nga Michigani. /Telegrafi/