Telegrafi

Mavropanos për ndeshjen me Kosovën: Kemi ardhur me tre pikë, Muriqi lojtari që bie në sy

Mbrojtësi grek, Konstantinos Mavropanos, ka folur në konferencën për media para ndeshjes ndaj Kosovës, ku i dha merita të mëdha mbrojtjes për rezultatet e fundit.

Mavropanos ka thënë se kanë ardhur për tri pikë në Kosovë, pasi i njohin mirë dardanët.

“Ne e njohim patjetër kundërshtarin. Ata kanë ndryshuar trajner, ndoshta filozofi, por ne i njohim lojtarët, luajtëm kundër tyre vitin e kaluar. E nisëm shumë mirë dhe jem këtu me ambicie për të marrë tre pikën”.

“Dallimi nga ndeshja e parë? Po, mendoj se do të jetë një ekip tjetër. Kosova po përpiqet të luajë futboll dhe kërcënon me kundërsulme. Ne do të luajmë ndryshe, me Irlandën e Veriut kemi qenë shumë të kujdesshëm me linjat tona. Jemi duke u përgatitur siç duhet për ndeshjen kundër Kosovës, që të marrim një rezultat të mirë ”, ka thënë mbrojtësi i njohur.

Ai u ndal te puna që kanë bërë në mbrojtje si ekip, duke thënë se është meritë e të gjithëve, jo vetëm e një reparti.

“Nuk jemi qendërmbrojtësit të vetmit që mbrojmë, është punë ekipore. Mesfushorët dhe e gjithë skuadra ndihmojnë”, deklaroi Mavropanos.

Mbrojtësi i Stuttgart që dikur ka luajtur te Arsenali, ka thënë se Vedat Muriqi është lojtari që bie në sy te Kosova.

“Ne e dimë se Kosova ka lojtarë që mund të na shkaktojnë më shumë probleme se të tjerët. Duhet të përballemi me ta në tërësi, por ka disa lojtarë që bien në sy, si Muriqi”, deklaroi ai.

Ndeshja mes Kosovës dhe Greqisë zhvillohet të dielën në “Fadil Vokrri” nga ora 20:45. /Telegrafi/