Llapjanët këtë sezon kanë shënuar gjashtë fitore, derisa ekipi i fundit të cilin e mposhti ishte Vushtrria.
Golin e vetëm të fitores e shënoi futbollisti Alban Mavriqi, i cili shprehet i lumtur me formën dhe paraqitjen e ekipit të tij këtë edicion.
“ Jemi duke kaluar një formë të shkëlqyer , jemi duke zhvilluar një formë të mirë e po ashtu jemi duke arritur rezultate të mirë. Ky sukses po vijë në bazë të atmosferës së mirë në skuadër.
Trajneri është duke bërë një punë të jashtëzakonshme, derisa edhe kryesia është duke i kryer obligimet në kohë, andaj edhe rezultatet pozitive nuk kanë munguar”, tha për KosovaLive, futbollisti, Mavriqi.
Formën e tyre të mirë kjo skuadër po shpreson ta vazhdojë edhe në xhirot e ardhshme. Nesër ky ekip ndeshet me skuadrën e Trepçës 89’, duel ky mjaft interesant.
“Është një përballje mjaft e vështirë , pasi që Trepça 89’ është njëri ndër ekipet më të mira në Superligë. Mirëpo ne do të udhëtojmë për një rezultat pozitiv,dhe besoj që me një angazhim të madh mund të ia dalim”, shprehet futbollisti i Llapit.
Llapjanët pas 12- të xhirove renditen në vendin e katërt me 20 pikë të tubuara .