Telegrafi

Maturantët sot u testuan nga lënda e matematikës

Në të gjithë shkollat e mesme të Maqedonisë sot u realizua testimi nga lënda e matematikës si pjesë e maturës shtetërore, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Për këtë testim ishin paraqitur 2.335 kandidatë nga drejtimi i gjimnazit, figurativ dhe të mesëm profesional me kohëzgjatje katërvjeçare.

“Provimi në tërë shtetin ka rrjedhur në pajtim me të gjithë rregullat dhe procedurat e parapara pa asnjë problem. Gjatë zbatimit të testimit janë përfshirë anëtarët e komisioneve shkollore të maturës, si dhe edhe rreth 270 arsimtarë-testues të trajnuar nga shkollat fillore dhe të mesme. Testimin e kanë ndjekur mbi 50 mbikëqyrës të autorizuar, të punësuar në Qendrën shtetërore të provimeve, Byronë për zhvillim të arsimit, Ministrinë e arsimit dhe shkencës dhe Qendrën për arsim profesional dhe trajnim”, thuhet në njoftimin e Qendrës shtetërore e provimeve.