Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis dënoi sot testin raketor të zhvilluar nga Koreja e Veriut, duke e cilësuar si provokim dhe ka insistuar mbi faktin se SHBA-të duhet të kërkojnë një zgjidhje diplomatike.
“Ne po përballemi aktualisht me këtë përshkallëzim të fuqishëm, këtë provokim, këtë shkelje ndaj rezolutave të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara”, komentoi Mattis, duke u shprehur për herë të par publikisht për testin koreanoverior që u zhvillua të martën.
“Ne qëndrojmë në përpjekje diplomatike, duke përfshirë aleatë dhe vende partnere”, vazhdoi ai.
Koreja e Veriut zhvilloi të martën me sukses për herë të parë një test me një raketë balistike ndërkontinentale që mund të arrijë të godasë Alaskë dhe që sipas Phenianit mund të mbajë një mbushje bërthamore.