Site icon Telegrafi

Matoshi: Në Shqipërinë që sot i ka analistët idiotë, më 1912 s’e pranonin flamurin kuqezi

Publicisti Halil Matoshi ka folur për atë që e cilëson mohim ndaj shtetit të Kosovës dhe simboleve të tij.

Ai ka thënë se mohimi i gjithçkaje të re është veti kolektive e shqiptarëve, prandaj nuk pranohen simbolet e shtetit të Kosovës.

Sipas tij, një mohim që tani i bëhet shtetit të Kosovës, i është bërë edhe Shqipërisë kur është shpallur shtet, i cili mezi ka mbijetuar për shkak të kundërshtimeve.

Matoshi thotë se një gjë e tillë ka ndodhur edhe menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1912, kur nuk e pranonin flamurin kuqezi, pasi ishin adaptuar me flamurin otoman dhe një i tillë i kuq me shkabën e zezë shihej si simbol i të pafeve.

Në emisionin “Komiteti” – prodhim i Gazetës Express për RTV Dukagjini – ai ka folur për debatin e fundit për çështjen kombëtare ndërmjet analistëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë.

Matoshi i ka quajtur analistët e Shqipërisë idiotë, në kuptimin që ata nuk dinë pothuajse asgjë për Kosovën dhe nuk kanë as informacione bazike për të.

Sipas tij, lidhjet e vetme të këtyre analistëve me Kosovën janë vizitat e tyre njëditore, pa ditur asgjë rreth historisë së saj.

Matoshi ka thënë se analistët e Shqipërisë citojnë teoritë mbi kombësinë, të cilat analistët nga Kosova i kanë cituar para 15 viteve.

Exit mobile version