Site icon Telegrafi

Matoshi për Anton Çetën: Instituti Albanologjik të mos identifikohet me emra të veçantë, por me ngjarje të rëndësishme (Video)

Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, ka thënë se Anton Çeta meriton të gëzojë një vend meritor të tillë çfarë e ka pasur edhe në kohën kur ka jetuar.

Ai në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se vendi që ka kërkuar Këshilli Organizativ për ngritjen e shtatores për Anton Çetën është konsideruar i papërshtatshëm për shkak se është i vogël.

“Ne kemi hapur diskutimin nga viti 2005 për shtatoren e Anton Çetës. Kjo shtatore kemi kërkuar të vendoset në një shesh që do të quhej “Sheshi i Pajtimit – Anton Qeta”. Vendi që ka kërkuar Këshilli Organizativ është konsideruar i papërshtatshëm.”

“Kërkesa e Këshillit Organizativ do të kishte kuptim vetëm nëse edhe instituti do të mbante emrin e Anton Qetës, por një kërkesë e tillë nuk ka ardhur”, ka thënë Matoshi.

Matoshi ka thënë se respekti i Institutit Albanologjik është parë ndër vite.

“Instituti ka bërë gjithçka që ka qenë e mundur për Anton Çetën, i ka bërë disa ‘përmendore’ atij. Ne i kemi botuar katër vepra të profesor Anton Çetës, asnjë punonjësi tjetër nuk i kemi bërë këtë nder, me përjashtim që i kemi botuar një vepër Bajram Krasniqit”, ka deklaruar ai, përcjell Telegrafi.

Drejtori i Institutit Albanologjik ka thënë se ka një vendim që para këtij institucioni të mos vendoset asnjë shtatore e ndonjë personi të veçantë.

“Qendrimi që të mos ketë shtatore para Institutit Albanologjik por vetëm një obelisk nuk e nënkupton vetëm Anton Çetën, nënkupton të gjitha personalitetet, sepse ne kemi pesë degë të këtij instituti, dhe në secilën degë kemi nga dy-tri personalitete të shquara”.

Ai ka thënë se ka pasur kërkesa të ndryshme për të identifikuar Institutin Albanologjik me emra të veçantë.

“Kemi pas një kërkesë që institucioni të emërohet me emrin e Idriz Ajetit, por kërkesa jonë është që Instituti Albanologjik të mos identifikohet me emra të veçantë por me ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptar”, ka deklaruar më tej Hysen Matoshi./Telegrafi/

Exit mobile version