Telegrafi

Matoshi: Haradinaj ia ktheu sovranitetin Kosovës pasi negociatat kishin devijuar në Bruksel

Halil Matoshi, këshilltari i kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka thënë se Haradinaj është vërtetuar si njeri i baraspeshave dhe se tashmë kjo dëshmohet nga frika që e kanë ish-partnerët.

“Pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj, u vërtetua se ai ishte njeri i baraspeshave të brendshme politike dhe ekuilibrave të jashtëm diplomatik”, tha Matoshi.

Këshilltari i Haradinajt u shpreh se kryeministri në dorëheqje, ia ktheu sovranitetin Kosovës pasi që negociatat kishin devijuar në Bruksel.

“…për Kosovën ia riktheu sovranit nga tavolina e devijuar e bisedimeve në Bruksel” shkroi Matoshi.

Matoshi tha se kjo tashmë dëshmohet se ish-partnerët ia kanë frikën kreut të AAK-së, ndërsa opozita dhe ndërkombëtarët janë të habitur e të heshtur.

“…këtë tashmë po e dëshmon frika e partnerëve të deridjeshëm, habia e opozitës dhe heshtja e ndërkombëtarëve” shkroi Matoshi në Facebook.

Matoshi shërben si këshilltar i Haradinajt që nga koha kur ai u zgjodh kryeministër i vendit.